Lajmet e fundit

Përlotet Rudina Dembacaj, Tregon Momentin Më Emocionues Të Dasmës

Ditën e sotme “Pardon My French” është rikthyer në “Top Albania Radio”, për t’ju shoqëruar me intervista ekskluzive, muzikë të mirë, informacione

dhe humor çdo të mërkurë nga ora 18:00-20:00. E ftuara e ditës së sotme ishte Rudina Dembacaj e cila ka zbuluar për moderatorët Jonida Aliçkolli dhe Kejvin Kalo shumë detaje interesante rreth dasmës së saj dhe Mark Frrokut.

Një nga elementet më të komentuara nga dasma e çiftit ishte fakti që aktorja kishte zgjedhur një fustan të bardhë klasik, kombinuar me elementë të veshjeve tradicionale, brezin e xhubletës, dhe vathë të mëdhenj jeshilë. E sigurisht kjo nuk ka qenë një zgjidhje rastësore dhe për tu dukur ndryshe.

Rudina tregoi kuptimin e vendosjes së xhubletës e ky ishte edhe momenti që e bëri të përlotej në këtë intervistë të parë pas dasmës më të komentuar. Ajo tha se atë e ka trashëgimi nga gjyshja e saj, e cila është ndarë nga jeta. Në këtë mënyrë ajo zgjodhi ta bënte atë dhe të atin pjesë të dasmës ndonëse fizikisht nuk ndodheshin pranë saj.

“Fustani u dizajnua i gjithi nga motra ime. Pafta e xhubletës është e personalizuar me emrin tim R.D. Unë kam mbajtur mbiemri tim. Jam shumë krenare për bashkëshortin që kam zgjedhur por secili mbiemrin e vetë. Ndërsa veshja e xhubletës vjen nga tradita e gjyshes sonë, nga tradita jonë që jemi nga Kelmendi. Gjyshja jonë para se të ndërronte jetë brezin e xhubletës së saj e ka ndarë në copë dhe ua ka dhënë mbesave të saj.

Ne nuk arritëm t’i bashkonim të gjitha pjesët e saj por i krijuam të gjithë nga fillimi. Duke qenë se unë jam shumë fanatike e zakoneve tona, por jam edhe romantike, nuk mund të dilja vetëm me xhubletë. Kështu motra ime mendoi këtë zgjedhje. Kisha një copëz edhe nga babi edhe nga gjyshja për të shkuar në altar.”

Po ashtu, Rudina tha se në altar e ka shoqëruar e bija. Një zgjedhje shumë e veçantë dhe jo e zakonshme.