Dikur, Rudina Xhunga ishte konkurrente e drejtpërdrejtë e Blendi Fevziut. Shqip, Emisioni i saj të enjteve në Top Channel luante kokë më kokë me Opinion në Klan. Iu desh punë të bindte kreun e Top Channel, Tan Hoxhën se e enjtja e burrave kishte nevojë për një grua. Për një vit e pak, të enjtet ishin të Xhungës.
Krejt papritur, “Tani thërret një mbledhje, na mbledh të gjithëve dhe më thotë: dëgjo Rudina, Ti s’mund të jesh Larry King. Larry King-e s’ka. Kështu që atë burrin e të enjtes do të mposhtë një burrë tjetër. E kishte për Sokol Ballën,” tregon Rudina e ftuar në Thumb.
Kjo ishte përvoja e saj më të keqe në njëzetë vite karrierë. Pasi Tani i tha se emisioni i saj do të zëvendësohej nga një burrë, nga Sokol Balla, Rudina mbeti pa fjalë. “Nuk dija ç’ti thosha, si ta bindja që e kishte gabim. Kështu që dola dhe rashë nga shkallët. Aq e tronditur isha,” shpjegon ajo.
Kur pa Rudinën në atë gjendje, Tan Hoxha u ndje keq, ishte i pari që i erdhi në ndihmë dhe e la emisionin e saj të transmetohej të enjteve për më shumë kohë. Më pas, Rudina kaloi të hënave, ndërsa Sokol Balla të enjteve me Top Story. Shqip me Rudina Xhungën u transmetua për 13 vite rresht, ndërsa Top Story për 11.
Xhunga kaloi në Vizion Plus, me një tjetër emisin debati të quajtur Dritare, i cili zgjati dy vite në ekran. Në momentin që Sokol Balla lëvizi nga Top Channel në Vizion Plus, Rudina Xhunga mbylli emisionin dhe u largua nga Vizion Plus.
E pyetur në Thumb nëse shkaku i largimit nga Vizion Plus ishte pikërisht Balla, Xhunga e mohoi në mënyrë të tillë që lë hapësirë për interpretim. Asaj i janë mërzitur emisionet e tilla. “Nuk e kam më motivimin të mbledh gjashtë të ftuar dhe t’u them zihuni tani. […] Shpresoj që emisioneve të tilla t’u vijë fundi shumë shpejt,” tha ajo.
Larry King, gazetar amerikan, krijues i talk show Larry King Live, emisionit më popullor në CNN me më shumë se 1 milion shikues çdo natë.