Lajmet e fundit

Ambasadori gjerman për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës: Mos e shtrembëroni të vërtetën

 

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, e cila sipas Ministrisë së Kulturës është një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në këtë komunë.

 

Rohde ka deklaruar se kjo mënyrë e të kujtuarit është e gabuar, teksa bëri thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta sa i përket Holokaustit.“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në Twitter.

 

Sipas tij, kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në mënyrë të hapur dhe të vërtetë.“Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, ka shtuar ambasadori gjerman.

 

Ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar se më 1 shkurt kanë filluar punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti.