Lajmet e fundit

Së Shpejti Çdo Familje Në Serbi Do T’i Ketë Borxh Kinës Nga 6.000 Euro

 

Serbia vitet e fundit ka marrë gjithnjë e më shumë kredi nga Kina dhe borxhi i fundit kap vlerën e 1.9 miliardë eurove. Disa ekspertë paralajmërojnë se brenda pak vitesh, një familje mesatare në Serbi do t’u detyrohet

 

kinezëve më shumë se 6.000 euro. Si problem i veçantë i këtyre kredive, ekspertët theksojnë se ato realizohen në bazë të marrëveshjeve ndërshtetërore që nuk kërkojnë procedura transparente në përzgjedhjen e kontraktorëve, shpenzimet dhe kontrollin e projekteve dhe si rrjedhojë ekziston një dyshim më i madh për korrupsion.

 

Dushan Nikeziq, kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat e Partisë serbe për Liri dhe Drejtësi (PLD), thekson se Serbia ka marrë më së shumti hua nga Kina për vite me radhë dhe thekson se një familje mesatare serbe brenda disa vjetëve do t’u detyrohet kinezëve 6.250 euro.Nikeziq ka thënë për portalin serb Nova.rs se Serbia ka kontraktuar me Kinën më shumë se 20 projekte me vlerë 15 miliardë euro.

 

Duke folur për huamarrjen e fundit nga kinezët, Nikeziq përkujton se qeveria aktuale vetëm dje e ka futur Serbinë në borxh, vetëm për një ditë, për 1.9 miliardë euro të pabesueshme dhe çdo familje në Serbi për gati 1.000 euro.“Për më pak se dhjetë vjet, ata e kanë futur në borxh vendin për më shumë se 15 miliardë euro, më shumë se të gjitha qeveritë e mëparshme së bashku, dhe me borxhin e ri për projektet për të cilat paraprakisht janë marrë vesh duke anashkaluar tenderët, borxhi publik i Serbisë do të kalojë 50 miliardë euro”, ka thënë Nikeziq