Lajmet e fundit

Serbia i kërkon BE-së e UNDP-së të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Ministrja e Kulturës dhe Informimit e Serbisë, Maja Gojkoviq, ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos ndajnë mjete për rinovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

 

Sipas Serbisë, Deva, ministër i Brendshëm i Shqipërisë në periudhën 1943-1944, “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.
“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, përcjell portali serb “Kossev” të hënë. Ajo tha se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë punë.

 

Monumenti gati një shekullor do të restaurohet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.Kostoja është paraparë të jetë 300 mijë euro.

 

Vlerat që ka shtëpia sa i përket historisë së arkitekturës janë të mëdha. E ish-pronari i saj, Xhafer Deva, figurë polarizuese e historiografisë, i takoi Qeverisë shqiptare që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.Në shtëpinë katërkatëshe, që e kishte ndërtuar në Mitrovicë, nuk jetoi asnjëherë.