Lajmet e fundit

Shpenzimet e Presidencës së Kosovës, gjatë 2021-së u harxhuan 97.4 për qind më pak se në vitin 2017

 

Këshilltari i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina ka publikuar shpenzimet vjetore të kësaj zyrë duke thënë se ka pasur ulje drastike në të gjitha kategoritë.Ai më anë të një postimi në Facebook, ka treguar se nuk është shpenzuar asnjë cent dosido, përcjell Telegrafi.

 

“Grafikat flasin vetë dhe shpërfaqin ulje drastike shpenzimesh në të gjitha kategoritë. Racionalizimi i shpenzimeve është parimi kryesor që e ka ndjekur Presidentja Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në Presidencë. Sa më racionale shpenzimet, më të mëdha mundësitë që paratë e taksapaguesve të orientohen në vende adekuate! Asnjë cent i shpenzuar dosido”, ka shkruar Kupina.

 

Nga të dhënat e publikuara, gjatë vitit 2021 për dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar 2,714 euro apo 97.4 për qind më pak krahasuar me vitin 2017. Për shpenzimet e karburantit janë harxhuar 5,165 euro apo 96 për qind më pak me vitin 2019, ndërsa për akomodim jashtë vendit janë shpenzuar 26,172 euro apo 86 për qind më pak në raport me vitin 2019.

 

Kurse, për sa i përket harxhimeve për bileta për udhëtim jashtë vendit, për këtë vit janë shpenzuar 35,863 euro ose 89 për qind më pak se viti 2019.