Lajmet e fundit

“Targeti i parë i Rusisë jam unë, i dyti familja ime” – Presidenti Zelensky qëndron në Ukrainë: “Nuk jemi tradhtarë, nuk kemi frikë”

 

Presidenti ukrainas , Volodymyr Zelensky deklaroi mëngjesin e së premtes se ai ka pyetur dretpërdrejtë 27 liderë europianë nëse Ukraina do të jetë në NATO dhe asnjë nuk përgjigjet prej frikës.

 

“Por ne nuk kemi frikë, nuk i druhemi asgjëje. Nuk kemi frikë të mbrojmë vendin tonë, nuk kemi frikë nga Rusia, nuk kemi frikë të flasimme Rusinë, nuk kemi frikë nga asgjë,” sqaroi Zelensky.

 

Presidenti ukrainas u shpreh se sipas shërbimeve të inteligjencës ai është targeti i parë i Rusisë, ndërsa familja e tij targeti i dytë. Pavarësisht kësaj ai tha se vijon të qëndrojë në Kiev dhe familja e tij do të qëndrojë në Ukrainë.

 

Zelensky tha se Rusia kërkon të shkatërrojë politikisht Ukrainën duke sulmuar kreun e shtetit, sidoqoftë kjo nuk e ka penguar presidentin të veshë uniformën e ushtrisë dhe të dalë në mbrojtje të kombit të tij.

 

Prej të enjtes, Rusia ka nisur sulmet për të pushtuar Ukrainën. Deri tani raportohen 137 të vrarë dhe 316 të plagosur. Qytetarët e vendit kanë bllokuar trafikun në përpjekje për t’u larguar nga lufta.