Lajmet e fundit

Ish-komandanti i UÇK-së për gabimin e Kurtit: Ka gabuar se nuk e ndjen historinë e Jasharëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka bërë një huqje të madhe gjatë seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, shkruan Periskopi.Gjatë fjalimit të tij ai iu referua Besarta Jasharit si vajza e komandantit, Adem Jashari, ndërsa ajo është vajza e heroit Hamëz Jashari.

 

E, këtë gabim nga ana e Kurtit ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha në një deklaratë për Periskopin ka thënë se kryeministri nuk e ndjen historinë e familjes Jashari, prandaj bënë këso gabime.
“Njerëzit, këtë e kanë dëshmuar edhe nga jeta e përditshme e secilit prej neve, për diçka që nuk e ndjen, për diçka që nuk e kanë nga zemra ,nga shpirti, nga sinqeriteti, por thjeshtë duhet ta bëjnë si kurtuazi, si vlerësim kurtuaz që kërkon formaliteti i qenurit i pari i qeverisë apo lider shtetëror apo lider politik ,atëherë bëjnë edhe këso gabim banale.

 

Gabimet janë të natyrshme, por rasti specifik nuk lejon një gabim të tillë, sepse është lëndues se tregon se nuk po ke informacionin e duhur për një vlerë që është unike për ne si popull, për ne si shtet”, tha Hiseni për Periskopin.
Hiseni tha se gabimin që e ka bërë Kurti gjatë fjalimit tregon se e ka bërë vetëm për formalitetin që ia ofron pozita e tij si kryeministër.

 

“Një president dhe një kryeminstër nuk guxon asnjëherë të bëjë gabim foljor të atillë çfare u bë aty. Me bë gabime dhe lëshime në raport me familjen Jashari, në raport me rastin unik që ka shpëtuar…, është vetëm një emër, është vetëm një vajzë dhe dihet e kujna është. Pra, edhe me bë një gabim të tillë tregon që ke bë për formalitetin që ta jep pozicioni, por jo për ndjesi dhe për respekt të mirëfilltë”, shtoi ai.

 

Madje, Hiseni e përmend edhe një gabim tjetër të liderit të vendit, e krahason me deklaratat e liderëve të Serbisë.
“Aty pati edhe një gabim e që ishte një fyerje e madhe se faktikisht ai tha se “ të mirë janë vetëm dëshmorët që kanë v dekur dhe imagjinoni sa njeri është i gjallë dhe meritor për sakrifica sublime, sakrifica mbinjerëzore për lirinë që gëzojmë sot.

 

Pra, nuk ishte nevoja ta fyente kontingjentin që është gjallë. Vetëm Serbia ka thënë se “shqiptari është i mirë vetëm kur është i v.dekur.
Këtë e tha kryeministri vetëm si lavdërim për dëshmorët, e që ne nuk u hidhëruam. Megjithatë kur lavdërohen dëshmoret, lavdërohemi edhe ne”, tha ai për Periskopin.
Sipas ish-komandantit të UÇK-Së, Kurti duhet të kërkoj falje për këtë gabim.

 

“Sikur të ketë ndërgjegje duhet ta bëjë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Kurti, sot kërkoi falje për gabim e bërë.

 

“Më lejoni fillimisht të kërkoj falje që në tekstin e fjalimit të djeshëm në Kuvendin e Republikës më është përvjedhur një gabim dhe kam thënë që Besarta është vajza e kryekomamdantit Adem Jasharit në vend se të them e Hamzë Jasharit”, ka thënë Kurti.

 

Ai ka vazhduar duke thënë se kjo i ka ndodhur pasi shumë shpesh i ngjan se të gjithë ata që janë gjallë janë fëmijë të kryekomandantit Adem Jashari dhe të nënës së tij heroinë.