Lajmet e fundit

Vuçiq me video: Nëse ndodh përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare do t’ju befasojmë me përgjigjen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nëse ndodh që të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, Serbia do të befasojë me përgjigjen dhe efikasitetin.

 

“Ditën që do të pranohen në ndonjë organizatë ndërkombëtare, do të thotë se e kanë përmbysur marrëveshjen e Washingtonit dhe atë ditë do të mësojnë emrat e disa vendeve që e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

 

Vuçiq tha se për shkak të krizës në Ukrainë, shumë e shohin si një mundësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se shumë duan pranimin e përshpejtuar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 

Këto komente kreu i shtetit serb i bëri gjatë një ngjarje në Leskovc kur u pyet se çfarë ndodhi me notën e protestës ndaj Turqisë.Ai tha se Serbia ka hequr dorë nga dërgimi i një note proteste ndaj Turqisë për qëndrimin e kësaj të fundit rreth hyrjes së Kosovës në NATO.

 

“Kam pasë një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ai sqaroi se çfarë tha, çfarë u përcoll dhe ne morëm vendimin që të mos e dërgojmë notën e protestës”, shtoi ai.

 

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, pas takimit që pati ditë më parë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kishte deklaruar se Kosovën e konsideron si pjesë të NATO-s dhe se për këtë nuk ka nevojë për të marrë leje nga askush.