Lajmet e fundit

Kurti i drejtohet NATO-s dhe BE-së: Bëjeni anëtarësimin e Kosovës më të lehtë…

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sërish ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

 

Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “AFP”, theksoi se pushtimi rus i Ukrainës nënkupton që të dyja organizatat duhet ta bëjnë më të lehtë – dhe më të shpejtë – rrugën për pranimin e një kandidati, njofton Klankosova.tv.
“Është shokuese”, tha Kurti në një intervistë për “AFP-në”. “Është vështirë e besueshme të besosh atë që po ndodh – por askush s’mund të pretendojë se është befasuar”.

 

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja që të forcojnë krahun e tyre jugor në Ballkanin Perëndimor dhe duke lejuar anëtarësim më të shpejtë në bllok.
“Në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk mund të sillemi normalisht”, ka thënë Kurti.

 

“Prandaj, edhe anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra. Është e domosdoshme që Brukseli, si kryeqyteti i NATO-s dhe i BE-së, të rimendojë një mënyrë të re zgjerimi në Ballkanin Perëndimor”.
Kurti në këtë intervistë foli edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, për të cilin tha se është i paparashikueshëm.

 

“Është lider i luftës dhe jo lider i paqes”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka thënë se Putini do të përdorë edhe akterët që i kontrollon në Ballkanin Perëndimor.

 

“Teksa synojnë konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë në rrezik. Në të kaluarën, presidenti rus na përmendte një herë në muaj. Tani disa herë në javë”, ka paralajmëruar ai për rrezikun që vjen nga Putini dhe për raportet e afërta me Serbinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Putini mbetet më me ndikim në Serbinë rivale të Kosovës, ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës”.

 

Javën e kaluar, Kosova dënoi pushtimin “të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar” të Rusisë në Ukrainë, dhe duke bërë planet për të mirëpritur mijëra refugjatë ukrainas në vend.
“Ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli”, tha Kurti.