Lajmet e fundit

Kërcënon Vuçiq: Serbët Nga Kosova Të Gatshëm T’i Braktisin Institucionet, Por Edhe Për Konflikt

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me amabasadorët e QUINT-it në Serbi, i është drejtuar qytetarëve të Serbisë. Ai ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova e kanë befasuar me kërkesa radikale, duke thënë se “disa janë të gatshëm për konflikt, e disa janë gati të largohen”.

 

Presidenti serb, siç transmeton “B92” ka treguar se një nga temat në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

 

Së pari, në seancën e Këshillit, ne shqyrtuam gjithçka me besimin dhe dëshirën më të mirë për të zbutur të gjitha pasojat e krizës më të madhe që ka kapluar botën që nga Lufta e Dytë Botërore. Në pjesën e dytë të seancës dhe në bisedimet me serbët nga Kosov, biseduam për vendimin e shqiptarëve që të mos lejojnë zgjedhjet të mbahen më 3 prill”, ka thënë Vuçiq.
Siç tha ai, nuk është vetëm çështja se a do të mund të votojnë apo jo serbët nga Kosova, apo kush do të ketë mbështetjen më të madhe, “por është çështje e sigurisë, mbijetesës politike dhe ekzistencës së atyre njerëzve”.

 

“Bislimi dhe disa të tjerë thanë se shqiptarët nuk duan t’i ndalojnë zgjedhjet në Kosovë. Më lejoni t’ju kujtoj se çfarë bëmë dhe çfarë ramë dakord. Neve na kërkohet ta njohim Kosovën. Esenca është se kush po kërkon nga autoritetet e Kosovës nën patronazhin e OSBE-së. Ne kemi pranuar kompromise të panumërta”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Vuçiq tha se serbët nga Kosova e kanë befasuar sot me kërkesa më radikale, por ai ka kërkuar nga ata durim.Presidenti serb deklaroi se disa janë të gatshëm për konflikt, e disa janë gati të largohen.

“Unë do të qëndroj me ta edhe nëse nuk më votojnë. Serbët nga Kosova pothuajse unanimisht kërkuan jo vetëm daljen nga të gjitha institucionet, por edhe largimin e 435 punonjësve të policisë. Unë i kuptoj për shkak të terrorit që po kalojnë. I pyeta se çfarë do të bënim pastaj. Ne do të marrim barrën financiare, por kam frikë se mund të hyjmë në një rreth vicioz lufte”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.Siç thotë ai, serbët [nga Kosova] i ka lutur të jenë të durueshëm dhe të “numërojmë deri në dhjetë”.

 

“Unë i kam lutur të qëndrojnë për të ruajtur vatrat tona shekullore. Nëse njëherë futemi në të [konflikt], nuk ka më kthim. I luta për durim, ata ishin korrekt dhe thanë se më besojnë vetëm mua”, tha Vuçiq.
Vuçiq po ashtu theksoi se shpreson që QUINT-i do ta dënojë sjelljen e Prishtinës.
Ai tha se në rajon po luajnë lojën “ për të na futur në kurth, sikur të ishim kundër qytetërimit perëndimor”.
Shpresoj se QUINT-i do ta dënojë sjelljen e Prishtinës. Disa në rajon po bëjnë lojë për të na futur në kurth, sikur ne jemi kundër civilizimit perëndimor. Ne duhet ta shmangim atë lloj kurthi. Jo rastësisht Prishtina dhe pjesë të Podgoricës, Zagrebit e Sarajevës po bëjnë një veprim të koordinuar”, tha Vuçiq.
Ndërsa përfaqësuesi i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se vendimi për të mos lejuar zgjedhjet serbe në Kosovë është shkelja e fundit e të drejtave të njeriut për të nxitur reagimin e tyre.

 

Siç ka thënë ai, “tani duan t’i mohojnë edhe një të drejtë elementare të njeriut, ajo është e drejta e votës”.
“Ne do të vazhdojmë bisedimet sepse duam të marrim një vendim të mençur. Presidenti sot tregoi qartë se është pro paqes, edhe pse ka pasur propozime të ndryshme”, tha Jevtiq.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

 

BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.Detajet e propozimit të Qunt-it, ende nuk janë bërë të ditura.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. /Telegrafi/