




Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve. Një veprim që aktivistët dhe studiuesit thonë se është për bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë, shkruan Euractiv, transmeton Express.





Sipas një kërkimi prej vitesh nga një akademike dhe ish-banore e zonës, Flora Ferati-Sachsenmaier, shqiptarët janë fshirë sistematikisht nga listat e votuesve, duke i bërë ata de facto pa shtetësi dhe pa qenë në gjendje që të marrin ose rinovojnë dokumente identiteti, për të përfituar nga arsimi ose kujdesi shëndetësor, ose madje të regjistrojnë edhe lindjen e fëmijëve të tyre.





Me zgjedhjet e trefishta në Serbi që mbahen të dielën, heqja e një numri kaq të madh të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve mund të ndryshojë rezultatin e votave.





Të dhëna të mëtejshme të mbledhura nga Sachsenmaier sugjerojnë se disa fshatra të Medvegjës kanë pasë një rënie të popullsisë shqiptare prej 41-71%, edhe pse ata nuk u larguan kurrë nga zona. Për shembull, në fshatin Sfrice u pa që numri i votuesve shqiptarë është ulur me 71,25% ndërmjet vitit 2012 dhe 2019. Në Sijarinë, ai është 70,64%.





“Në vitin 2015, unë po hulumtoja në këtë zonë dhe disa nga familjet, aktivistët dhe politikanët që hasa, vazhdonin të thoshin ‘po na fshijnë, po na fshijnë’. Kjo erdhi në mendjen time dhe vinte gjithmonë në lidhje me Ministrinë e Brendshme në Serbi,” tha Sachsenmaier për Exit.al, një partner mediatik i EURACTIV, e cila ishte e para që dha alarmin për situatën.