Lajmet e fundit

Raporti Tronditës Nga Amerika Për Kosovën: Hashim Thaçi Dhe Ramush Haradinaj Të Lidhur Me Korrupsionin Dhe Krimin E Organizuar

 

Raporti i “Freedom House” për vitin 2022 evidenton një ngjitje të lehtë të Kosovës në vlerësim e klasifikim, por në këndvështrimin e organizatës së njohur amerikane, problem mbetet korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit.

 

Shteti më i ri në Ballkan futet në grupin e qeverisjeve hibride, me demokraci tranzicionale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit në fjalë Kosova shënoi një përparim nga 3.4 në 3.25 pikë.

 

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00. Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara nga një vit më parë.

 

Në raportin për lirinë në botë, Kosova ka shënuar ngritje të lehtë në 56 pikë, nga 54 sa ishte në raportin e vitit të shkuar. Në përmbledhjen kryesore për Kosovën, “Freedom House” ka theksuar se vendi ka mbajtur zgjedhje të besueshme, por ka shtuar se institucionet mbesin të dobëta dhe se korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë.

 

Gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen për raportimet e tyre. Sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në gjyqësor. Një damkë të rëndë për dy ish-kryeministrat e Kosovës ka ky raport:

 

“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Ata kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë. Pyetja që lind është: a janë zgjedhjet politike të njerëzve në Kosovë të lira apo diktohen nga forcat dominuese?”

 

Që nga viti 1995, raporti i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende, që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore. Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni.