Lajmet e fundit

Besnik Tahiri: AAK-ja do të bëjë çmos që ta mundësojë tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti

 

AAK-ja, si Grup Parlamentar, do të bëjë çmos për të mundësuar tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti në Parlamentin e Kosovës, Besnik Tahiri, në një reagim të tij, pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës se nuk do ta përkrahin tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, njofton klankosova.tv.

 

”Edhe një gabim i qeverisë!

Qeveria e Kosovës është humbur dhe tjetërsuar në petkun e pushtetit, ndërsa hallet dhe kërkesat e qytetarëve i trajton vetëm në fushatë zgjedhore. Qeveria e ka shumë gabim që nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

 

Si Grup Parlamentar do të bëjmë çmos që ta mundësojmë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti. Tërheqja e kursimeve nga Trusti, sidomos në kohën kur vendin e ka përfshirë kriza ekonomike, është shumë e nevojshme për këndellje të ekonomisë dhe familjeve kosovare. Pra, duhet shfrytëzuar të gjitha burimet, të gjitha alternativat, duke shfrytëzuar në këtë rast edhe Trustin, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Mospërkrahja e qytetarëve në këtë kohë të goditjeve të mëdha ekonomike, tregon se kemi qeverisje pa qeveri!”.