




Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka reaguar për intervistat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i bëjnë në mediat e huaja.





Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se as Kurti e as Osmani, nuk do kishin mundur të flasin për mediat e huaja, nëse “këta” duke iu referuar udhëheqëseve të UÇK-së, nuk do “flisnin” me pushkë, gjuha e të cilëve, sipas Abdullahut, ishte gjuhë e lirisë.





As Kurti në CNN, as Vjosa në BBC, as ai tjetri në një medie tjetër, nuk kishit mujt as me dal, as me fol as me shitë kurum, as sot as edhe njëherë tjetër, sikur të mos ishin këta me fol me pushkë në dorë në male. Gjuha të cilën ata e folën dje nuk ishte as anglishtja as gjermanishtja as shqipja, por gjuhë e lirisë, gjuhë e trimnisë, ishte gjuhë e paqes dhe e pavarësisë. Dhe ku janë ata sot ? Nuk janë në qeveri. Bile më kryesorët janë në burg. Dhe a e dini pse? Për asgjë tjetër pos për këtë gjuhë t’zotit që e kanë folur atëherë kur është dashur e që ju kurrë nuk e mësuat”, ka thënë ai.





Ai po ashtu ka thënë se pozita e sotme preferon të krahasohet më qeveritë e kaluara, por sipas Abdullahut, qeveria duhet të krahasohet më opozitën e sotme.
“Ec e mos plas. Maspari po preferoni krahasime me të kalumën. Krahasoni qeverinë sot me opozitën sot, këtë nuk po e bëni asnjëherë. Por ju po doni mu krahasu me të kalumën se po mendoni që po ju levërdis në të tilla raste”, ka shtuar Abdullahu.