Lajmet e fundit

Detari HERO i Vlorës/ U hodh në detin me dallgë për të shpëtuar dy fëmijët sirianë, të djegur nga kripa, Shtabi i Përgjithshëm e ka harruar (E PLOTË)

 

Ky është detari Besmir Meçaj, ekuipazh i Motovedetës “Bora” P-116 që bashkë me shokët e tij natën e 8 janarit 2021, shpëtoi në detin me forcën 5 në destancë nga derdhja e Vjosës 55 emigrantë sirianë me një mjet me gjatësi 20 m dhe të klasifikuar të shpëtoj deri në 15 vetë.
Atë mbrëmje gomonia ishte gjysëm e mbytur dhe emigrantët gjysëm në ujë. 14 prej tyre kishin pësuar djegje nga kontakti me përzjerjen e karburantit me ujin e detit. Disa nga të djegurit ishin gra dhe fëmijë. Kur Motovedeta identifikoi gomonen dhe iu afrua Besmiri u hodh në ujë dhe ndihmoi çdo emigrant të hipte në motovetë nga kiçi.

 

Në fund në gomone kishin mbetur dy fëmijë, të cilët nuk kishin shenja jete dhe prindërit e tyre vendosën ti braktisnin. Ata i thanë Besmirit që t’i linte në gomone, por ai i mori të dy dhe i hipi në motovedetë. Femijet ishin gjallë por të djegur dhe në gjendje shumë të rëndë. Besmiri i pastroi, i mbështolli me baranije dhe u shtri bashkë me ta për ti mbajtur ngrohtë. Falë Besmirit dy fëmijët shpëtuan.

Detari Besmir Meçaj, ekuipazh i Motovedetës “Bora” P-116
Ditën tjetër, në 9 janar 2021, Policia e Shtetit bëri kallëzim penal për të gjithë ekuipazhin e Motovedetës “Bora” P-126 “Për shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi pranë molit të Vorës dy skafistët u hodhën në det, njëri prej të cilëve u kap dhe është me masë sigurie “arrest shtëpie”.

Në 6 maj 2021, mbasi Motovedeta u kthye nga qëndrimi 3-ditor si anije e gatshme në Sazan, i gjithë ekuipazhi u ndalua me masën e sigurisë “arrest me burg”, duke përfshirë dhe Besmirin. Në datën 27 maj 2021 Gjykata e Apelit e ktheu masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”. Nga dita e ndalimit dhe deri më sot i gjithë ekuipazhi, duke përfshirë edhe heroin detar Besmir Meçaj janë të pezulluar nga detyra dhe nuk paguhen.

Deri më sot ata nuk kanë patur asnjë ndihmë, as juridike, nga Komanda e Forcës Detare, Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes, Kryeministria, apo Komandanti i Përgjithshëm. Shteti i ka braktisur. Ata po luftojnë vetë për drejtësi, pavarësisht se një ditë më pas të gjitha institucionet e publikuan dhe u kapardisën me shpëtimin e 55 sirianëve.

Artur Meçollari, ish-zv.Komandant i Forcës Detare tregon gjithë ngjarjen e 8 janarit 2021

8 janar 2021 – Intrigat dhe paaftësia që penalizuan padrejtësisht pesë detarët e Motovedetës “Bora” P-116.

Operacioni SAR (kërkim – Shpëtimi) i datës 8 janar 2021 është një nga më masivët të kryer nga Roja Bregdetare për nga numri i personave të shpëtuar, por dhe më i suksesshmi, pa asnjë humbje jete njerëzore. Sipas informacioneve, Policia e Shtetit mbasditen e datës 8 janar 2021 ka patur informacion se atë mbëmje në derdhje të Vjosës do të nisej një gomone me klandestinë. Policia mori masat e nevojshme dhe disa autoritete drejtuese nga Tirana kanë qënë atë mbrëmje në Vlorë, por nuk mundi ta ndalojë. Mbas të gjithë kësaj historie, ku u akuzuan 5 detarë, pa prova, askush nuk ngriti pyetjen: si mundën 55 sirianët të lëviznin mbi 400 km nëpër territor, të flinin në një hotel në Tiranë, të imbarkoheshin në gomone dhe të shkonin deri në mes të detit pa u identifikuar dhe ndaluar nga askush?

 

Jam krenar që kam punuar dhe kam qënë drejtues i ekuipazhit të Motovedetës “Bora” P-116. Për një vit, kam kryer detyrën e Komandantit në detyrë të Forcës Detare / Rojes Bregdetare dhe kjo Motovedetë ka kryer me sukses të gjitha detyrat, ashtu si më 8 janar 2021. Komandantin e Motovedetës, kapiten i Rangut të tretë Bledar Bufaj, e njoh për më shumë se 20-vjet, qysh kur i jepja mësim në Akademinë e Detarisë dhe më pas kur isha komandant i Flotiljes Detare në Pashaliman. Ai rrjedh nga një familje ushtarake, pasi babai i tij, një ish-Oficer detar, ka shërbyer për shumë vite në Bazën Detare të Sazanit. Ata nuk janë të përkryer, si askush nga ne. Por, natën e datës 8 janar 2021 komandanti dhe ekuipazhi i Motovedetës “Bora” P-116 kanë përmbushur detyrën në shërbim të Atdheut dhe akti i tyre human ka qënë në kufijtë e sublimes. Pesë detarët prej tetë-muajsh janë pa rrogë dhe familjet e tyre në kushtet e mbijetesës.

Mbrëmjen e 8 janarit 2021, ndërsa Motovedeta “Bora” P-116, kryente gadishmërinë në Bazën Detare të Sazanit, në orën 19:30 u njoftua nga Komanda e Forcës Detare / Rojes Bregdetare për të kryer një operacion SAR. Informacioni në QNOD kishte mbërritur nga Policia Kufitare. Sipas Komandës së Forcës Detare Motovedeta “Bora” P-116 ka marrë detyrë vetëm të kryej operacion SAR dhe që siç shprehet në vijim të shkresës të datës 27.06.2021. Gjithashtu ajo shprehet se ky operacion është kryer në kushte “të vështira hidrometerologjike”,

Në po të njëjtën shkresë Komanda e Forcës Detare, ajo nuk shpreh vlerësimet e saj për operacionin, pavarësisht se është drejtuesja e operacionit të datës 8 janar 2021. Por, ajo për vlerësimin i referohet Komandës së Flotiljes Detare, një strukturë mbështetëse operacionale, ku shprehet se “Flotilja Detare në përfundim të analizës të zhvilluar mbi operacionin e kërkim-shpëtimit, ka pasqyruar dhe ka bërë vlerësimin mbi këtë operacion, e cila e vlerëson faktin e përmbushjes me sukses të detyrës së vënë për shpëtimin e jetës së njerëzve”. Ky vlerësim i Flotiljes Detare natyrisht ka vlerë, por në shkresën e datës 27 qershr 2021, gjashtë muaj nga operacioni, duhet të ishte shprehur edhe vlerësimi i Komandës së Forcës Detare / Rojes Bregdetare.

 

Po ashtu në komunikatën për shtyp të datës 9 janar 2021 të Komandës së Forcës Detare shkruhet se: “Mbrëmjen e datës 08 janar, Forca Detare (Roja Bregdetare) u informua për një gomone me 55 emigrantë, midis tyre gra dhe fëmijë, në grykëderdhjen e lumit Vjosë, e cila ishte në rrezik mbytjeje” dhe se: “Operacioni për bllokimin e mjetit lundrues dhe evakuimin e personave në bord, u krye në kushte të vështira atmosferike dhe me det me forcë mbi 5 ball. (https://www.aaf.mil.al/…/5713-anijet-e-rojes-bregdetare…).

Natën e 8 janarit 2021 Motovedeta “Bora” P-116 me komandant kapitenin e rangut të tretë Bledar Bufaj dhe me ekuipazh prej 5 vetësh shpëtoi 57 vetë që iu rrezikohej jeta në det, nga të cilët 55 sirian që nuk dinin shqip. Nga këta 14 kishin pësuar djegje, ndër të cilët gra dhe fëmije. Dy fëmijë u shpëtuan nga detar Besmir Meçaj, edhe pse familjarët e tyre deklaronin në mes të detit se janë të vdekur dhe nuk ishte e nevojshme të merreshin nga gomonia. Akti heroik i detar Besmir Meçaj, i cili gjatë gjithë operacionit të transferimit të të mbijetuarve nga gomonia në motovedetë, ka qënë në ujë dhe me aktin e tij shpëtoj dy fëmijë nuk është vlerësuar ende. Motovedeta “Bora” e gjatë 19 m, atë mbrëmje kishte në bord 57 të mbijetuar në detin me forcën 5, edhe pse është e klasifikuar të shpëtoj deri në 15 vetë.

Siç shkruhet në kërkesën e prokurorit, 12 minuta përpara se Motovedeta ka mbërritur në Portin e Vlorës (24:00) një nga të mbijetuarit shqiptar, i dyshuar si skafistik, ka njoftuar nënën e tij që kishte shpëtuar dhe ishte mirë në bordin e motovedetës (23:48 – kërkesa e prokurorit). Në orën 23:45 (Ditari i Anijes) Motovedeta ka filluar manovën për bregëzim në Molin e Vlorës dhe në 24:00 është bregëzuar në Molin “Zero”. Pak përpara se Motovedeta të bregëzohet, që rezulton në rajonin e Portit, mbasi ka filluar manovra e bregëzimit, dy shqiptarët janë hedhur në det. Mbas kësaj Policia e Shtetit ka hyrë me forcë në Motovedetë, në shkelje të ligjit dhe jashtë juridiksionit (anija dhe personeli ushtarak ushtarake kanë imunitet) dhe më pas ka bërë kallëzim penal për ekuipazhin e Motovedetës “Bora” P-116. Infrastruktura dhe personeli ushtarak janë juridiksion i Policisë Ushtarake. Tensioni i krijuar në bordin e motovedetës me një nga drejtuesve të Polisë së Shtetit në Vlorë në mesnatën e datës 8-9 janar 2021 është bërë objekt komunikimi midis drejtuesve ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme.

Komanda e Forcës Detare në shkresën e datës 27.06.2021 shprehet se: “operacioni i datës 8 janar 2021 i kryer nga anija”Bora” është për kërkim dhe shpëtim dhe është drejtuar nga Roja Bregdetare”. Po ashtu thuhet se: “në bordin e anije “Bora” nuk ka patur personel të bordingut, pasi në bazë të informacionit të marrë operacioni është klasifikuar si operacion kërkim shpëtimi”.

 

Personeli i Rojes Bregdetare nuk është i veshur me autoritetin e policisë gjyqësore dhe gjatë operacionit SAR askush nuk ka të drejtë të paragjykoj të mbijetuarit për nga statusi, kombësia apo rrethanat e gjetjes (IMO Directive). Pra, deri në momentin e përfundimit të operacionit SAR, mbërritja në Portin e Vlorës, askush nuk mund të ndalohet si i dyshuar për një vepër penale, pasi statusi i tyre është “të mbijetuar”. Një veprim i tillë do të shpërqëndronte fokusion nga Operacioni SAR, si operacion humanitar me prioritet. Në rastin e datës 8 janar 2021 një veprim i tillë mund të kishte kosto edhe më të lartë në kushtet kritike të mbigarkesës, destabilitetit të Motovedetës dhe motit të keq, apo edhe më e keqja të një revolte në bord në raportin e forcave 1:11 (ekuipazh:të mbijetuar).

Në datën 6 maj ekuipazhi i Motovedetës “Bora”, ndërsa kthehej nga gadishmëria në Sazan, u ndalua në Bazën Detare të Pashalimanit në zbatim të urdhërit të Gjykaës me masën e sigurisë “arrest me burg”. Në komunikatën për media të Policisë së Vlorës thuhet se“Ndalimi i tyre u bë pasi këta shtetas, me detyrë roje bregdetare të Forcës Detare, gjatë operacionit për goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë̈, të emigrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e Vjosës, dyshohen se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar”. Në 27 maj 2021 Gjykata e Apelit Vlorë iu dha të pesë detarëve masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe qysh nga data 6 maj 2021 ata janë të pezulluar nga detyra pa të drejtë pagese.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale detyrimin për ndalim në kushtet e një vepre penale në flagrancës e ka prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, kurse ekupipazhi i Motovedetës nuk e gëzon këtë status, dhe siç shprehet Komanda e Forcës Detare nuk kishte një detyrë të tillë. Kodi i Procedurës Penalei njeh si të drejtë çdo qytetari të ndaloj në flagranc një person në rastet e kryerjes së një vepre penale. Por, si të drejtë. Natën e datës 8 janar 2021, komandanti i Motovedetës “Bora” duhet të zbatonte të drejtën apo detyrën, e cila e ngarkon me përgjegjësi ligjore, në kushtet e një operacioni humanitar kritik. Humbja e jetës së ndonjë nga të mbijetuarve gjatë periudhës së evakuimit do ta ngarkonte komandantin me përgjegjësi penale, për të cilin kodi penal parashikon deri në 15 vjet burg.

 

Por, informacioni i Komandës së Forcës Detare ka dhe një të dhënë tjetër interesate ku thuhet se “nga shënimet e radios së Anijes “Oriku”, në ditarin e radios së anijes ditën e operacionit, disponojmë informacion se në datën 8 janar 2021 në rajonin e operacionit përveç anijes “Bora” P-116 ka qënë dhe një mjet i Policisë Kufitare”. Pyetja shtrohet: Çfarë detyre ka patur mjeti i Policisë Kufitare. Nëse do të kishte dal për operacion SAR, ishte i detyruar të komunikonte me QNOD (Rojen Bregdetare) dhe të kalonte nën kontrollin taktik të saj, sipas procedurave të QNOD, miratuar me VKM, pasi sipas ligjit Roja Bregdetare është Koordinatore e Kërkimit dhe Shpëtimit në Det. Komanda e Forcës Detare / Rojes Bregdetare ka marrë dijeni për prezencën e mjetit të Policisë Kufitare disa ditë më vonë kur ka kontrolluar ditarin e radios së Anijes “Oriku”.

Nëse mjeti i Policisë Kufitare kishte detyrë për zbatimin e ligjit, përse nuk e shoqëroi Motovedetën “Bora” për në Portin e Vlorës për të siguruar të mbijetuarit, si dhe garantuar personat e dyshuar për trafik të qënieve njerëzore? Por, kjo histori duket edhe më e komplikuar se kaq. A ka patur më parë Policia e Shtetit informacion për nisjen e një gomoneje në mbrëmjen e datës 8 janar 2021? Përse nuk u kap dot? Nga paaftësia apo operacioni i kajes u dekonspirua?

Një muaj më parë prokurori i çështjes ka mbyllur hetimet dhe çuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, ku të paditur janë jo vetëm dy të dyshuarit për trafikun e datës 8 janar 2021, një pronar hoteli në Tiranë, por edhe ekuipazhi i Motovedetës “Bora” P-116, të gjithë për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. E gjithë akuza e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunimit mbështetet mbi dëshmitë e disa të mbijetuarit sirianë (pa emra) të cilët deklarojnë se: “disa minuta para ankorimit, rreth 100 m larg bregut, janë parë nga disa emigrant se dy shtetasit shqiptar të hidheshin dhe largoheshin nga anija. Ndër të tjera shpjegohet nga shtetasit e huaj se dy shtetasit shqiptar pas imbarkimit kanë qëndruar në dhomën e drejtuesit të anijes dhe në kohën e afrimit të anijes në breg, janë parë të veshin jelekë shpëtimi ngjyrë portokalli, kanë dalë nga dhoma e drejtimit të anijes … janë hedhur nga anija dhe nuk janë parë më.”

 

Për të sqaruar këtë situatë: 1) ky është momenti kur anija manovron për të bregëzuar në molin e Vlorës dhe sipas rregullave të Forcës Detare personeli që merr pjesë në bregëzim dhe gjendet në kuvertë duhet të veshi jelekët e shpëtimi. 2) që dy shqiptarët kanë ndihmuar motovedetën në akomodimin dhe ndihmën ndaj sirianëve, kjo është e sigurtë dhe e novojshe: a) Skafistët e dyshuar kishin interes të mos humbiste asnjë jetë njerëzore dhe të demostronin humanizëm, pasi si “kapiten” të skafit akuza ndaj tyre nuk do të ishte thjesh “për trafikim”, por edhe me humbje njerëzore dhe b) në kushtet e raportit 1:11 me 55 sirian në gjendje të veshtirë dhe djegje, komandanti i Motovedetës ka patur nevojë për dy skafistët. Nga katër vetë ekuipazh, komandanti ka patur në dispozicion për ndihmë ndaj të mbijetuarve vetëm një vetë, pasi një detar ka qënë në motorra, një në timon dhe një në radio.

Shpërdorimi i detyrës konsiston në “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike”. Vetë Komanda e Forcës Detare, drejtuesja e operacionit SAR konfirmon në Shkresën nr. 1825/2, datë 27 qershor 2021 se: “Motovedeta “Bora” P-116 ishte urdhëruar kryerjen e një operacioni SAR dhe në bordin e saj nuk kishte grup bordingu pasi nuk kishte më shumë informacion”. Në kushtet e ballancimit të përmbushjes së misionit dhe përgjegjësisë, parashikuar me ligj dhe me urdhër në datë 8 janar 2021, në rethana të vështira dhe me rrisk për misionin SAR, zbatimi i të drejtës së ndalimit është në kundëreshtim me parimet e një operacioni SAR dhe do të rriste rriskun e përmbushjes së misionit: shpëtimin e 55 emigrantëve sirian.

Prova e vetme mbi të cilën mbështetet prokuroria, është e paverifikuar ose e kryqëzuar me prova të tjera. Telefonata e bërë nga një i dyshuarit nënës së tij, në kushtet e një operacioni SAR nuk përbën indicje, për aq kohë sa nuk provohet se kjo telefonatë është bërë jo për qëllime njoftimi për statusin e të mbijetuarit. Gjithashtu, shkresa e Komandës së Forcës Detare ka një pasaktësi, e cila është bërë me qëllim dhe nga një mendje djallëzore. Në datën 10 janar 2021, kur Motovedeta “Bora” është kthyer në Pashaliman, Komanda e Flotiljes ka ushtruar kontroll në kushte shumë rigoroze mbi Motovedetën, duke verifikuar në se në bord ndodheshin 15 jelekë shpëtimi, po aq sa kishte në inventar. Dhe u gjendën 15 jelekë. Ky fakt provon të kundërtën e asaj që deklaronë sirinët dhe është publike, pasi gjatë kontrollit në motovedetë janë bllokuar edhe anijet e tjera në Bazë e Pashalimanit për të mos patur shkëmbim xjelekësh shpëtimi nëse gjendeshin mangësi në motovedetë. Pra, siç u shpreha, Komanda e Forcës detare në shkresën e datën 27 qershor 2021, shprehet se nuk është bërë inventar në Motovedetë, pasi nuk ia ka kërkuar komandanti i saj. Ky fakt është jo i vertet.

 

Firmosja e shkresës në datën 27 qershor 2021, nga Komanda e Forcës Detare, u bë më në fund, e detyruar nga rrethanat, por shumë vonë. Komanda e Forcës Detare ka pranuar disa fakte të rëndësishme për hetimin. Gjithsesi në, shkresë nuk përmendet kërkesa e Komandantit të Motovedetës “Bora” për të shkuar në Sazan dhe jo Vlorë, mbasi të mbijetuarit do mund të transferoheshin të Anija “Oriku” dhe kjo më pas ti tranferonte në Vlorë. Forca Detare në bazë të Konventës së SAR, në një fazë të përshtatëshme duhet të kishte përfshirë Anijen “Oriku”, si anije me kapacitete të larta, për të kryer evakuim. Përfshirja e Anijes “Oriku” në nxjerrjen e gomones gjysëm të mbytur, ndërsa Motovedeta “Bora” vijonte evakuimin drejt Vlorës, si dhe moshoqërimi nga mjeti i Policisë Kufitare, bëri që evakuimi të kryej në kushte kritike të mbijetesës së Motovedetës “Bora”, ekujpazhit dhe të mbijetuarëve.

Sipas informacioneve, Prokurori i çështjes, në prill 2021, gjatë fazes së hetimit, kur ekuipazhi ishte në detyrë dhe i pandaluar ende (u ndaluan në 6 maj 2021), nëpërmjet QNOD-së i ka dërguar një shkresë Komandës së Forcës Detare. Shkresa, nëpërmjet disa pyetjeve, kërkonte që Forca Detare të bënte interpretimin e të drejtës ndërkombëtare dhe kombëtare për operacionet SAR në det. Por, ashtu si në rastin e shkresës së datës 27 qershor 2021, një mendje djallëzore e këshilloj ish-komandantin këmbësor të Forcës Detare që mos ti përgjigjej kësaj kërkese. Forca Detare / Roja Bregdetare janë koordinatore kombëtare të SAR-it në det dhe e kryejnë këtë detyrë në zbatim të së drejtës ndërkombëtare dhe kombëtare për operacionet SAR në det. Ky rast është i dyti në 20 vjet Roje Bregdetare që hetimi përfshinë operacionet SAR në det. Nëse Forca Detare do ti ishte përgjigjur asaj shkrese së prokurorit, jam i bindur që prokurori do të kishte një pamje më të plotë të rrethanave, bazës ligjore dhe sot do të kishim një vendim ndryshe.

 

Policia e Shtetit dhe ajo Kufitare gjatë gjithë operacionit nuk ka komunikuar me Komandën e Forcës Detare për të shkëmbyer informacion dhe koordinuar veprimet. Pa autorizimin e Komandës së Forcës Detare, Policia e shtetit që drejtonte operacionin e zbatimit të ligjit, ka komunikuar direkt me Komandantin e Motovedetës dhe e ka porositur që “të mbaj skafistët në vrojtim”. Vrojtimi është veprim pasiv për të identifikuar veprimet, jo për të parandaluar ato. Dhe është pikërisht Policia e Shtetit që po atë mbrëmje ka nisur hetimin penal për ekuipazhin e Motovedetës për shpërdorim detyre.

U mundova ta shkruaj me sa më shumë detaje dhe sa më të argumentuar këtë histori, me bindjen se detarët kanë përmbushur detyrën dhe drejtësia do të vendoset. Detarët do të dalin të pafajshëm dhe do të rikthehen në punë pavarësisht mungesës së mbështetjes ligjore të drejtuesve të tyre ushtarak që i futën në një operacion me rriskt të lartë dhe u mburrën me suksesin e tij. Shpresoj që këtë postim ta lexoj edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Unë, kam bindjen se akuza ndaj detarëve, fsheh dicka tjetër në Policinë e Shtetit. Sakrificat e detarëve dhe policëve të thjeshtë kanë nevojë për më shumë vlerësohen nga strukturat eprore. Ashtu si detarët edhe policët e mjetit të Policisë Kufitare kanë sakrifikuar shumë atë mbrëmje dhe sakrifikojnë çdo ditë për përmbushjen e detyrës.