LAJME

Bekim Jashari thërret për qetësi: Secili është i lirë dhe i mirëseardhur në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pasi një grup qytetarësh kanë penguar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të mbajë një tubim elektoral në këtë.

Jashari, përmes një postimi në Facebook, tha se jetojmë në kohën e pluralizimit politik, ku secili ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike.

“Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë”, ka shkruar Jashari, përcjell Telegrafi.

Postimi i plotë i Jasharit:

“Të dashur qytetarë,

Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj.

Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë”.

Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.

Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.

Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur”, ka shkruar Jashari.

Ndryshe, gjatë vizitës së liderit të LVV-së në Skenderaj, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë brohitur ish-emrin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku për këtë është vërejtur edhe një numër i madh i Njësisë Speciale të Kosovës, të cilët i kanë mundësuar Kurtit, të zhvillojë tubimin me qytetarët të cilët e përkrahin atë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *