LAJME

Denoncimi i Fiks Fare/ Plumba dhe gjak mes ndërtuesve, 120 familje lihen në mes të rrugës!

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës konfliktin mes dy ndërtuesve në Tiranë, të cilët kanë lënë në mes të rrugës plot 120 familje. Më 9 janar 2021, ditën e shtunë, në zonën e ish-parkut në kryeqytet ndodhi një konflikt, ku një person u dhunua, u rrah dhe gjakos nga dhjetëra persona.

Disa ditë më pas, përkatësisht në datën 13 janar, në të njëjtën vend, ndodhi sërish një konflikt, kësaj herë me përdorimin e armëve. Dy persona u plagosën me armë zjarri, ndërtuesi Sino Llanaj dhe një kalimtar i rastit. Ndërkohë, u godit me sende të forta edhe një roje objekti.

Po si qëndron e vërteta e këtij konflikti në këtë zonë? Pas ngjarjes së parë të 9 janarit, në redaksinë e “Fiks Fare”, u ankuan dhjetëra banorë, të cilët kanë blerë apartamente në një kompleks ende në ndërtim në atë zonë. Sipas tyre, megjithëse kanë paguar shuma të mëdha, një konflikt mes ndërtuesit dhe investitorit, i ka lënë banorët në mes të rrugës. Ndërtuese e kompleksit është kompania “Star Construction”, me pronar Albert Allmuça. Ndërkohë, investitor është kompania Llanar Ndërtim, me pronar z. Sino Llanaj.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan fillimisht me banorët që kanë blerë apartamente në këtë kompleks. Ata tregojnë se kanë disa vjet që kanë paguar për apartamentet dhe dyqanet, por nuk i posedojnë. Sipas tyre, Allmuça dhe Llanaj janë në konflikt me njëri tjetrin. Ata thonë se kanë kontrata porosie me z.Sino Llanaj, i kanë bërë te noterët. Paratë i kanë derdhur në bankë, sipas rregullave. Por, tani firma “Star Construction” nuk i lejon që të hyjnë brenda. Kjo kompani ka përfunduar apartamentet e saj dhe i ka futur klientët brenda në pallat, megjithëse s’ka dalë akti i kolaudimit të pallatit. Dhe, 120 familjet, që kanë blerë te z.Sino Llanaj nuk lejohen të futen në apartamente. “Këta mund të zgjasin konfliktin edhe 15 vjet. Po ne çfarë do të bëjmë, paguajmë kredira dhe qira. Askush nuk kujtohet për ne” thonë ata.

Pas ankesës, gazetarët shkojnë dhe interesohen te kompania “Star Construction”, ku bisedojnë me pronarin Albert Allmuça. Ai thotë se kompleksi ka filluar vite më parë, ndërsa firma e tij është ndërtuese. Më tej pohon se Llanaj ka qenë investitor dhe mes tyre ka pasur një kontratë bashkëpunimi. Gazetarët e pyesin nëse banorët kanë apo jo pronë, ndërsa ai përgjigjet se përderisa z.Llanaj ka shkelur kontratën që kanë bashkë, edhe banorët janë “në ajër”. Pyetjeve nëse Llanaj ka shitur më shumë metër katrorë nga sa i takon, ai thotë se jo, pasi “nuk i lejohej të shiste apartamente dhe duhet të merrte leje nga ‘Star Construction’”. Fiksi e pyeti z.Allmuça se përse një pjesë e banorëve janë futur në godinë dhe pjesa që ka shitur Llanaj janë jashtë. Pohoi se firma Llanaj ka braktisur punimet dhe se ai po i përfundon vetë. Në lidhje me aktin e kolaudimit të godinës thotë se “90 % e pallateve në Tiranë kështu e bëjnë, fusin banorë pa dalë ende kolaudimi i pallatit”.

Pas këtyre pretendimeve, gazetarët e Fiks Fare biseduan edhe me investitorin e këtij kompleksi, z.Sino Llanaj, i cili më 9 janar u gjakos. Intervista u realizua një ditë para se ai të plagosej në afërsi të kompleksit. Fillimisht, investitori tregon se ditën e shtunë ka shkuar në kompleks me disa banore për të parë hyrjet dhe punimet, por është dhunuar dhe qëlluar nga punonjës të firmës “Star Construction”. Sipas tij, afër pallatit qëndrojnë persona të armatosur që nuk e lejojnë të shkojë në kompleks. “Të shtunën më kanë qëlluar me ç’të munden” thotë ai.
Gazetarët e pyesin se çfarë roli ka z.Llanaj në atë pallat. Thotë se ka një kontratë me firmën “Star Construction”, ku ai ka 42 përqind të investimit. Ka marrë 120 apartamente dhe disa njësi shërbimi dhe ka filluar ti shesë, ashtu si ortaku tjetër për pjesën që i takon. “I kam shitur sipas kontratës që kam bërë me kompaninë ‘Star’, sipas sipërfaqeve. Të gjitha janë bërë para noterit dhe janë në ASHK” thotë Llanaj. Më tej pohon se është i gatshëm që të përfundojë punimet e mbetura, po nuk lejohet nga kompania “Star”. Pohon se nuk ka shitur asnjë metër katrorë të palës tjetër dhe, nëse ata të dy kanë konflikte, atëherë të vendosë gjykata. Pohon se përmbarimi t’ia marrë atij paratë nëse vendos gjykata, dhe jo banorëve që i kanë kontratat e rregullta./topchanel. Tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *