HOME

Doktori kryeministër i Malajzisë

Doktori kryeministër i Malajzisë

Në vitin 1981, malajzianët jetonin në pyje, merreshin me bujqësi dhe peshkim.
Të ardhurat mesatare për individ ishin më pak se një mijë dollarë në vit, ndërkohë që konfliktet fetare (në Malajzi ka 18 fe) kishin pllakosur gjithandej.
Kjo vazhdoi derisa Zoti i nderoi me një burrë nga mesi i tyre, Mehatir Muhamed.
Mehatir është djali më i vogël nga nëntë fëmijë. Babai i tij ishte mësues filloreje, me një rrogë e cila nuk mjaftonte as për të përmbushur ëndrrën e Mehatirit të vogël për ti blerë një biçikletë, me të cilin do të ndiqte shkollën e mesme.
Duke mos pasur zgjidhje tjetër, Mehatir punoi si shitës bananesh në rrugë.

Ai e përmbushi ëndrrën e tij dhe e kreu shkollën e mesme. Mandej, ndoqi studimet e larta për mjekësi në Singapor.
Gjatë studimeve, ai ishte kryetar i unionit të studentëve myslimanë në universitet. Pasi përfundoi studimet, u emërua mjek pranë spitalit shtetëror të qeverisë pushtuese angleze. Me shpalljen e pavarësisë në vitin 1957, Mehatir hapi një klinikë private si kirurg.
Gjysmën e kohës ai kryente vizita falas për njerëzit e varfër, gjë e cila më pas i mundësoi të fitojë zgjedhjet si deputet i zonës në vitin 1964. Gjatë mandatit të deputetit, ai shkroi librin “E ardhmja ekonomike e Malajzisë”.
Në vitin 1974, Mehatir Muhamed kandidoi për senator dhe fitoi, mandej u emërua ministër i arsimit në 1975, më pas ndihmës kryeministër në 1978 dhe në 1981, ai zuri postin e kryeministrit të vendit. Me ardhjen në këtë post, Malajzia fillon rilindjen e saj të përgjithshme.

Po çfarë bëri mjeku për vendin e tij?
Fillimisht, ai vendosi një projekt për të ardhmen e Malajzisë, në të cilin caktoi prioritetet, objektivat dhe rezultatet që duheshin arritur përgjatë dhjetë viteve të ardhshme, mandej pas 20 vitesh, e deri në vitin 2020!!!
Së dyti, ai vendosi që arsimi dhe kërkimet shkencore të kryesojnë listën e prioriteteve të çfarëdo agjende. Për rrjedhojë, edhe buxheti i shtetit i shkonte arsimit, trajnimit,edukimit, luftës kundër analfabetizmit, mësimit të gjuhëve të huaja, kërkimeve shkencore…. Ai dërgoi me dhjetëra mijëra studentë jashtë vendit.
Së treti, ia prezantoi popullit të vet planin e tij strategjik. Njerëzit i besuan dhe i shkuan pas që nga bujqërit e deri tek të arsimuarit. U mbollën një milion fidanë palma nën dy vitet e para, duke e radhitur Malajzinë në krye të listës së vendeve eksportuese të vajit të palmave.

Sektori i turizmit, brenda njëzet viteve duhej të sillte njëzet miliardë dollarë të ardhura, nga 900 milionë në vitin 1981. Për t’ia arritur këtij qëllimi, kryeministri i shndërroi të gjithë repartet dhe kazermat ushtarake japoneze që nga lufta e dytë botërore, në zona turistike tërheqëse, qytete, qendra kulturore dhe artistike…
Malajzia arriti të bëhej qendër ndërkombëtare e garave me makina, hipizmit, lojërave në ujë, kurave natyrore etj…
Në sektorin e industrisë, vetëm në vitin 1996, arritjet ishin 46% më shumë se një vit më parë dhe kjo falë zhvillimit të elektronikës.
Sektori financiar i hapi portat për të gjithë investitorët lokalë dhe të huaj. Në vend u ndërtuan dy kullat më të larta në botë, të cilat përfshinin 65 qendra tregtare. Ai ngriti bursën vendase, transaksionet ditore të së cilës i kalojnë dy miliardë dollarë në ditë.
Mehatir Muhamed ngriti universitetin islam më të madh në botë, i cili zë radhitet si një nga 500 universitetet më të mira të botës. Ai ndërtoi autostrada, me dhjetëra hotele luksoze, ofroi lehtësira joshëse për turistët dhe investitorët e Kinës, Indisë, Gadishullit Arabik dhe vendeve të tjera.
Shkurtimisht, Mehatir Muhamed arriti që nga viti 1981 deri në vitin 2003 ta transformojë vendin e tij dhe ta radhisë tek vendet e civilizuara dhe të zhvilluara. Të ardhurat vjetore të qytetarit malajzian u rritën nga një mijë dollarë në vit për frymë, në gjashtëmbëdhjetë mijë në vitin 2003. Sakaq, rezervat monetare u rritën nga tre miliardë në 98 miliardë. Eksportet u rritën në dyqind miliardë dollarë në vit.
Mehatir Muhamed nuk i persekutoi qytetarët e vendit të tij, nuk u futi në burgje. Ai u thoshte:”Ti je malajzian dhe duhet të krenohesh!”
Me gjithë arritjet kolosale të vendit, ai nuk i kërkoi popullit të tij që ti qëndrojnë besnikë atij, por gjithmonë i nxiste për punë dhe prodhim.
Mehatir Muhamed nuk priti ndihmat e Amerikës dhe të Evropës, por pas mbështetjes tek Zoti, u mbështet tek vullneti, vendosmëria dhe ambiciet e tij. Ai u mbështet tek puna e popullit të vet dhe tek mendjet e tyre.

Në vitin 2003, pas 21 vitesh të cilat i kaloi në shërbim të vendit, me vullnet të lirë ai vendosi të largohej nga pushteti, edhe pse populli i kërkoi të qëndrojë. Ai la pas një plan afatgjatë dhe një projekt njëzet vjeçar i cili e sheh Malajzinë e vitit 2020, si një forcë ekonomike përkrah Kinës, Japonisë dhe Indisë.
Mehatir Muhamed, jeton sot në Malajzi si një qytetar i thjeshtë, në një fshat dhe i gëzohet pensionit të tij. I gjithë populli malajzian, i cili dikur kërkonte të kthehej kolonializmi anglez pasi mendonte se nuk kishte zgjidhje tjetër, ia di për nder dhe i është mirënjohës doktorit të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *