LAJME

Hoti paralajmëron rikthimin e reciprocitetit me Serbinë

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar sot rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, shfuqizimi i të cilit ishte një nga vendimet e para të tij kur erdhi në krye të Qeverisë, raporton Gazeta Express.

Hoti, në një konferencë të përbashkët për media me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës tha se në shtator do të dërgojnë tekste shkollore për shqiptarët në Luginë.

Ai u pyet se a do t’i ndalonte tekstet serbe të hynin në Kosovë në rast se Serbia do ta bënte të njëjtën me tekstet që Kosova po planifikon t’i dërgojë atje.
Kryeministri në detyrë u shpreh se në një situatë të tillë, mund të riktheheshin masat e reciprocitetit.
“Kur e kemi filluar procesin e dialogut, në javët e para kur unë e kam marrë Qeverinë i kemi hequr masat e reciprocitetit dhe e kemi shfuqizuar vendimin për tarifën dhe çfarë ka qenë më herët, që i ka hapur rrugë procesit të dialogut”.

“Kjo është bërë me një afat të caktuar kohor, për disa muaj, dhe sapo ky proces të vijë në përfundim, ose procesi mbaron me njohje reciproke, ose ne i zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit, pa përjashtim. Çdo masë që Serbia e drejton nga ne, ne kemi të drejtë dhe do ta drejtojmë nga Serbia”, tha Hoti.

Hoti tha se me hartimin e planit të punës së kësaj zyre, do të “analizohet gjendja sociale dhe ekonomike” e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për, siç tha, “faktuar gjendjen në arsim, shëndetësi e punësim”. /Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *