BOTA LAJME

Pagat në Zvicër janë rritur, përkundër krizës së koronës

Përkundër pritjeve negative, pagat në Zvicër nuk pësuan rënie gjatë krizës së koronës. Përkundrazi, shumë punonjës kanë fituar më shumë, pikërisht në vitin e koronës.

Madje edhe në degën më të goditur, atë të gastronomisë, pagat pothuajse nuk kanë shënuar rënie, shkruan gazeta “SontagsZeitung” në numrin e djeshëm.

Në vitin e krizës, punonjësit kanë fituar 1.5 deri në 2 për qind më shumë sesa në 2019, konfirmon për gazetën vlerësuesi i bizneseve KOF nga universiteti ETH i Cyrihut, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, rritja e pagave nuk ka ardhur për shkak të rritjes në të njëjtën kohë të numrit të punonjësve.

Janë disa arsye të ndryshme pse punonjësit zviceranë kanë fituar më shumë në vitin e koronës. Sipas KOF, shumë degë ende kishin vazhduar të jepnin rritje të pagave nga viti 2019. Puna me orar të shkurtuar gjithashtu ka zbutur krizën: Kishte më pak pushime nga puna se sa pritej për shkak të pandemisë.
Shoqata e Fondeve Kantonale të Kompensimit AHV konfirmon se të ardhurat e fituara janë rritur me rreth 1.6 për qind. Kjo është befasuese, por tregon se masat ekonomike të Qeverisë Federale kanë funksionuar më mirë sesa supozohet.

Më shumë para kanë fituar kopshtarëst dhe luleshitësit

Edhe në degët e prekura rëndë, nuk kishte zvogëlim të pagave: Kështu, kopshtarët dhe luleshitësit kanë fituar më shumë para në vitin 2020, pavarësisht bllokimit. Edhe në degën e gastronomisë, të goditur më së keqi, pagat kanë mbetur të qëndrueshme, ka thënë Gastro Social (Fondi i kompensimit për degën e hotelierisë/Gastronomisë).

Por Gastro Social në këtë rast nuk operon me numra. Fakti që pagat në sektorin e hotelierisë janë ulur fare pak, mund t’u atribuohet masave federale të mbështetjes, përcjell albinfo.ch. Por, kjo mund të ndryshojë. Dega e gastronomisë është ende e varur nga masat mbështetëse të shtetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *