LAJME

Raporti amerikan i zbulimit: Princi saudit i kurorës miratoi vrasjen e Khashoggit

Raporti i agjencive amerikane të zbulimit liston 21 persona për të cilët SHBA ka besim të madh se ishin përgjegjës për vdekjen e gazetarit në emër të princit të kurorës.

Zyrtarët amerikanë besojnë se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman miratoi operacionin për “kapjen ose vrasjen” e gazetarit, thuhet në dokumentin e sapo lëshuar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, telefonoi mbretin Salman të Arabisë Saudite, ndërsa administrata e tij pritet të publikojë një version të deklasifikuar të mandatuar nga kongresi të një raporti të zbulimit, që pritet të vërë në pah se i biri i mbretit, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës telefonike, presidenti Biden dhe mbreti Salman “diskutuan mbi sigurinë rajonale, duke përfshirë përpjekjet e ripërtërira diplomatike të drejtuara nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe angazhimin amerikan për të ndihmuar Arabinë Saudite që të mbrojë territorin e saj, teksa përballet me sulme nga grupe të lidhura me Iranin”.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën, vuri në dukje lirimin e fundit të disa aktivistëve amerikanë sauditë dhe veprimtares saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul nga paraburgimi dhe pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit. Njoftimi nuk përmendi raportin mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, i planifikuar për t’u publikuar pas telefonatës.

Shtëpia e Bardhë nuk dha një shpjegim se pse njoftimi nuk përmendi Khashoggin, i cili ishte një banor i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe me fëmijë me shtetësi amerikane.

Jamal Khashoggi, kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me princin e kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

Riadi përfundimisht pranoi se gazetari Khashoggi u vra gabimisht në një operacion që shkoi keq, por mohoi çdo përfshirje të princit të kurorës

Roli i princit të kurorës, i njohur nga nistoret e tij MBS, në vrasjen e Jamal Khashoggit, është subjekt i raporteve të medias që nga fundi i vitit 2018. Administrata e ish presidentit Donald Trump hodhi poshtë kërkesat e ligjvënësve për të publikuar një version të deklasifikuar të raportit, pasi që Shtëpia e Bardhë i dha përparësi shitjes së armëve në mbretëri dhe aleancës me Riadin, mes tensioneve në rritje të Shteteve të Bashkuara me rivalin e saj rajonal, Iranin.

Rivlerësimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, dhe synimi për të vënë theksin tek të drejtat e njeriut, është një zotim fushate i presidentit Biden. Që nga marrja e detyrës, ai i ka dhënë fund shitjes së armëve që Riadi mund të përdorë në Jemen dhe emëroi diplomatin veteran Timothy Lenderking si të dërguarin e posaçëm për të udhëhequr përpjekjet e diplomacisë amerikane “për t’i dhënë fund luftës në Jemen, një luftë e cila ka krijuar katastrofë humanitare”.

“Presidenti Biden dëshiron të jetë i qartë se rruga e vjetër nuk është rrugë e e re,” tha Gerald Feierstein, nënkryetar i Institutit për Lindjen e Mesme.

Administrata po kërkon gjithashtu të distancohet nga MBS, sundimtari 35 vjeçar de facto vendit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shpesh ka theksuar se presidenti Biden do të komunikojë vetëm me mbretin saudit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë marrëdhëniet me sauditët, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të nxisë rivalin rajonal të Riadit, Iranin, që të veprojë në përputhje me marrëveshjen bërthamore që u prish pasi ish presidenti Trump u tërhoq prej saj në vitin 2018.

Marrëveshja e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit u arrit nga Irani dhe P5 + 1 (Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara) nën administrimin e ish presidentit Barack Obama, në vitin 2015.

LEXONI EDHE KËTË

Shtetet e Bashkuara fillojnë bisedimet për lirimin e pengjeve nga Irani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *