HOME

Udhëkryqi i madh i LDK-së, veprimtari vjen me një mesazh të fuqishëm

Veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së për Zvicër, Haki Latifi ka folur lidhur me situatën në LDK, në prag të 14 marsit, dita kur do të mblidhet Kuvendit Zgjedhor për ta zgjedhur kryetarin e ri të LDK-së.

“Në situatën aktuale në të cilën gjendet LDK dhe në të njëjtën kohë, ankthi që shoqëron anëtarësinë dhe votuesit e saj, thjeshtë ka të bëjë me faktin se sa do prodhojë kjo garë reale një lidership të gjithë pranuar e parasëgjithash një stabilitet politik brenda kësaj partie e cila identifikohet nga qytetarët si parti shtet formuese. Mendoj se, kandidatët për kryetar dhe Kuvendi zgjedhor i cili do të mbahet, më 14 mars, duhet të kenë qëllim parësor, unitetin e partisë dhe evitimin e një çarje që mund të jetë mbase edhe e imponuar, e cila do të kishte pasoja serioze për të ardhmen e LDK-së”, është shprehur Latifi.

Sipas Latifit, LDK tani gjendet në një udhëkryq si kurrë më parë.

ImageHaki Latifi
“Pres që ky kuvend i LDK-së me delegatët e saj, duhet të dijë të vendosë njeriun e duhur në krye të saj. Sepse, asnjëherë LDK nuk ka qenë në një udhëkryq si ky, asnjëherë më shumë nuk ju ka dashur njeriu i duhur si tani. Me fjalë të tjera, duhet reflektim dhe përgjegjësi për gabimet dhe dëmet që janë shkaktuar. Pragu është ky ku gjendet tani, sepse anëtarësia dhe strukturat e LDK-së nuk durojnë më poshtë sepse ashtu është e ndërtuar struktura e saj. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja e reflektimit dhe e përgjegjësisë edhe për liderin e ri si dhe kryesinë e re të LDK-së. Nëse nuk dëshirojnë të përmbushet qëllimi i oponentëve politik që nga themelimi e deri më tani pothuajse është arritur, ose të çojnë drejt shuarjes themeltaren e shtetit të Kosovës – LDK-në”, deklaron Latifi.

Ai shton se në situatën aktuale, LDK-së i nevojitet një kryetar që është unifikues, i cili do ta rikthente fuqishëm LDK-në.

“Në këto rrethana, të vetmit që po e përjetojnë me preokupacion ankthi këtë klimë tensioni janë anëtarësia besnike e LDK-së, pastaj janë një pjesë e veprimtarëve të devotshëm si viktimat direkte të nëpërkëmbura që përtej zhgënjimit nga humbja e zgjedhjeve, sesa marrja e përgjegjësisë në kushte garimi, të disa kandidatëve ku për teka të tyre apo pretekste hedhin baltë asaj që s’mund ta arrijnë dot. LDK-së u lipset një kryetar unifikues, një lider që pas një riorganizimi të mirëfilltë dhe daljes në terren, të rikthehet fuqishëm dhe ta çojë LDK-në në qeverisjen e vendit dhe aspak një kryetar tekanjoz”, thekosn veprimtari Latifi.

“LDK është një parti me histori dhe vlera të pakontestueshme për bërjen e shtetit, nuk përballon më njerëz të taborit tjetër, LDK tani duhet të dijë se si e ngrit imunitetin e saj duke u divorcuar nga përbashkimet e panatyrshme”.

Latifi thotë se ata të cilët abstenojnë ketë herë nga marrja e përgjegjësive për të rivendosur LDK-në aty ku e ka vendin, do të jenë bashkëpjesëmarrës në zhbërjen e LDK-së, parti kjo që u themelua në periudhat më të vështira nga njerëzit më të mirë dhe të zot e të vendosur që i pati koha.

“Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, kishte ideuar dhe lansuar tri postulatet që ishin pikënisje për shtetin e Kosovës “LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI” dhe nëse këto rrumbullakojnë shtetësinë e Kosovës LDK ka ende shumë rrugë për të bërë. Sepse një parti është e fortë dhe prosperuese nëse e sendërton fuqishëm krijimin e traditës së saj, duke i gërshetuar brezat njërin me tjetrin dhe nga gërshetimi i denjë i brezave të sigurojë ecjen e mbarë kah e ardhmja e një vendi dhe popullit të tij! Në realitet tani kemi të ashtuquajturin; “brezi i Republikës”, që për fat të keq, tenton t‘i shkëpus lidhjet nga brezi i vjetër, ndërsa po pretendon të merr në duart e veta fatin e LDK-së. Derisa nuk kanë mundësi të jenë as hija e brezit të themeluesve dhe e qëndrestarëve të LDK-së si: si vizion, qëndresë, si veprim, si vetëdije, si standard i idealizmit demokratik, politikë e atdhetar, e as si sakrificë e kristaltë e shtetformimit!”, nënvizon Haki Latifi.

“Ne duhet të mësojmë edhe nga përvojat më të ndritshme të demokracisë botërore, ku brezat janë hallkat e zinxhirit të organizimit të një partie serioze. Dhe, derisa kjo përvojë të mos na motivojë, do të vazhdojmë të mbetemi daulle e shkyer që ushëtima e saj nuk dëgjohet larg”, përfundon veprimtari i LDK-së, Haki Latifi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *