BOTA LAJME

Zgjedhjet e 14 shkurtit, BE-ja nuk do të dërgojë vëzhgues por vetëm një mision të ekspertëve zgjedhor

Bashkimi Evropian nuk pritet të dërgojë vëzhguesit e tyre për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, që do të mbahen më 14 shkurt.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka shtuar se BE-ja do të dërgojë vetëm një mision të ekspertëve zgjedhor.

“Duke pasur parasysh afatin e ngushtë nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për BE-në për të vendosur një mision vëzhgues të plotë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të parakohshme. Sidoqoftë, ne do të dërgojmë një mision ekspert zgjedhor (EEM) për të mbështetur zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, më tej ka shtuar se BE-ja ka treguar angazhim dhe mbështetje të fortë për zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë duke vendosur disa Misione Vëzhguese Zgjedhore që nga viti 2013.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

“BE ka lëshuar një sërë rekomandimesh dhe vazhdon të nxisë të gjithë akterët relevantë të ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të forcojnë dhe të përmirësojë procesin zgjedhor”, u shpreh Stano.

I pyetur se çfarë pret BE-ja nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që do të dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Stano shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e re.

“BE do të vazhdojë të angazhohet me qeverinë e re dhe të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformën e nevojshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha Stano për Telegrafin.

Ai theksoi se BE-ja pret zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente të kryera në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë një fushatë parazgjedhore të drejtë dhe të përgjegjshme. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *